Arbëria Venedike (1392 – 1479)

Arbëria Venedike

Autor: Oliver Jens Schmitt

Viti i botimit: 2014

Përktheu: Ardian Klosi

Nr. faqe: 628

ISBN: 978-99943-0-379-3

Çmimi: 2000Lekë

Bli Online

“Në historinë e Gadishullit Ballkanik shekulli 15 përfaqëson kohën e shndërrimeve të mëdha. Perandoria osmane erdhi në këmbë të Bizantit, provincat e dikurshme të të cilit kishin jetuar përmbi dy shekuj në një përçarje politike e në shtetësi të mëvetshme, një copëzim që askund tjetër nuk ishte aq i dukshëm sa në hapësirën arbre-epiriote midis Tivarit dhe Artës. Pushtimi osman i Europës Juglindore u krye kudo në mënyrë të dhunshme, megjithatë asgjëkund popullatat vendase nuk i përballuan ushtritë e sulltanëve për një kohë aq të gjatë si në Arbëri, ku prej betejës së Savrës (1385) e deri në fund të shekullit 15 në vende të ndryshme do të ngrihej përsëri e përsëri flamuri i kryengritjes. Këmbëngulja e mbrojtjes arbre shpjegohet me natyrën e thepisur të vendit, me vullnetin e spikatur të vendasve kundër një pushteti të fortë qendror, me aftësitë ushtarake të arbërve dhe me gjeninë strategjike të prijësit të tyre të një kohe, Skënderbeut; megjithatë kjo qëndresë nuk do të kish qenë e mundur në një periudhë të gjatë pa afërsinë gjeografike me Italinë dhe hapësirën adriatike. Vetëm kontakti ekonomik me Venedikun dhe Raguzën bëri të mundur që të mbërrinin në Arbëri mjetet e nevojshme financiare dhe armatimet në këmbim të prodhimeve bujqësore; vetëm mbështetja ushtarake prej Napolit dhe Venedikut e shpëtoi Skënderbeun nga një disfatë e hershme. Fakti që arbërit në fund të fundit iu nënshtruan perandorisë së sulltanëve, nuk shpjegohet vetëm me epërsinë numerike dhe teknike të ushtrive osmane, por edhe me bashkimin e pakët të shtresës udhëheqëse arbre.”

“Historia e Venedikut në Shqipërinë, më saktë në Arbërinë mesjetare, siç nuk jemi mësuar ta lexojmë deri më tani. Venediku i zhveshur nga ngjyrimet e djallëzisë dhe lakmisë, në të vërtetë e vetmja fuqi perëndimore ku mbështetnin shpresat vendasit.
Me të gjitha hollësitë e mundshme, me vështrimin e mprehtë për detajin dhe aftësinë për të ndërtuar një tablo të madhe, Oliver Jens Schmitt vë themele të qëndrueshme për historinë mesjetare të vendit tonë.”
— Ardian Klosi