Skënderbeu

Skenderbeu OK SHTYP.cdr

Autor: Oliver Jens Schmitt

Viti i botimit: 2014

Përktheu: Ardian Klosi

Nr. faqe: 584

ISBN: 978-99943-0-381-6

Çmimi: 1500Lekë

Bli Online

Jeta e Skënderbeut nuk ishte një marshim triumfal, por një luftë e vazhdueshme për mbijetesë, e mbushur me disfata, situata në dukje pa rrugëdalje, por shpesh edhe me kthesa të papritura të fatit. Pa vullnetin e prijësit, pasuesit e rraskapitu do t’u ishin nënshtruar herët osmanëve. Mirëpo ishte pikërisht vullneti i Kastriotit për fitore ai që tek e fundit i tërhoqi malësorët drejt rrënimit.

Sfidës së padëgjuar të ish-oficerit të tyre dezertor sulltanët i ishin përgjigjur me një ashpërsi të panjohur më parë.
Kështu jeta dhe kryengritja e Skënderbeut u bë dhe tragjedia e trevës së tij të prejardhjes, e cila si asnjë rajon tjetër i Ballkanit u shkretua e u shpopullua nga osmanët. Është gati emblematike vetmia e Skënderbeut në ditët e tij të fundit: hakmarrësi i t’et, kundërshtari i dy sulltanëve, atleti i Krishtit, Aleksandri i Ri u ndodh i vetëm mbi rrënojat e veprës së tij. Përreth tij ishte ulur në varr një botë e tërë, papët dhe sundimtarët, të cilët i kishin premtuar dhe dërguar ndihmë, fqinjët e tij të krishterë në Ballkanin sllav dhe grek, fisnikë të tjerë të Arbërisë, por sidomos shpura e tij e vogël e besnike e pasuesve. Vetëm se bota pas tij nuk deshi të dinte për këtë fat tragjik, ajo dëshiroi një hero ngadhënjimtar në luftën për mbijetesë kundër Perandorisë osmane. Kështu vazhdoi të jetojë Kastrioti i madh si hero vezullues në kujtesën e të krishterëve në Ballkan dhe në Perëndim, ndërkohë që u harrua se ai në të vërtetë ishte figura tragjike e një periudhe kur po ndryshoheshin kohët.

Në vazhdën e jetëshkrimeve dhe monografive të shumta kushtuar Gjergj Kastriotit, “Skënderbeu” i Schmittit është portreti më i plotë, i ndërtuar me mjetet e historiografisë moderne, me një depërtim të pazakontë në shoqërinë, në protagonistin dhe personazhet kryesore rreth Aleksandrit të ri. Për herë të parë në gjuhën shqipe, me mjetet e thjeshta të dokumentimit dhe analizës shkencore, na dalin të shpërbëra mite dhe ngrehina ideologjike njëqindvjeçare rreth heroit kombëtar të shqiptarëve. E për çudi, edhe pse bien njëra pas tjetrës legjendat që fëmijëve tanë dhe gjithë një shoqërie ua ngulisin në kokë qysh se hapin sytë, në fund heroi ynë tragjik nuk na është venitur osë tëhuajtur. Përkundrazi, ia ndjejmë edhe më thellë dramën gjigante, përpjekjen e dëshpëruar për t’iu kundërvënë me luftëtarët e tij malësorë perandorisë më të madhe të kohës.

“Oliver Jens Schmitt ka një stil mbërthyes, aftësinë për t’iu afruar personazhit dhe ngjarjeve aq pranë, sa të jetosh me to si një vepër letrare a film me kontraste të fuqishme. Të gjitha këto na lehtësojnë rrugën drejt të vërtetave, për të cilat kemi aq shumë nevojë.”
— Ardian Klosi